(Teksti i përmisuar)

K U S H T E T U T A
e Bashkësisë Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë

Shkup, 20 shtator 2013

PREAMBULLA

All-llahu i Lartmadhërishëm në Kur`anin Famëlartë thotë:

“…Për çdo (ummet) Ne caktuam ligj e program…” (El-Maide, 48)

Prej paraqitjes së Islamit në trojet tona, muslimanët e Maqedonisë pandërprerë kanë qenë një tërësi shpirtërore islame e pandarë, të cilët kanë trashëguar mësimet e Librit të fundit të shpallur – Kur’ani Kerimit dhe Sunnetit të Pejgamberit, Muhamedit a.s.,
Për të realizuar detyrat e veta fetare, muslimanët janë lidhur për të vetmen bashkësi fetare islame pavarësisht nga përkatësia e tyre nacionale.
Organizimi i jetës fetare gjatë kohës së Shtetit Osman ka qenë nën jurisdikcionin e Shejhul-Islamit në Stamboll, ndërkaq pas luftërave ballkanike, respektivisht pas Luftës së Parë botërore jeta fetare e muslimanëve ishte nën jurisdikcionin e Reisul Ulemasë me seli në Sarajevë-Bosnjë dhe Hercegovinë, përndryshe BFI e Maqedonisë ishte pjesë përbërëse e BFI në Mbretërinë Jugosllave dhe më pas në Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë.
Pas shpërbërjes së bashkësisë shtetërore të mëparshme dhe me
mëvetësimin e Republikës së Maqedonisë, BFI vazhdon të veprojë si
bashkësi fetare e pavarur në Republikën e Maqedonisë dhe këtë e
dëshmojë me sjelljen e Kushtetutës së Bashkësisë Islame në vitin 1994.
BFI e Maqedonisë me këtë Kushtetutë dëshmon lidhshmërinë historike në kuptimin juridik dhe është e vetmeja trashëgimtare e tërë veprimtarisë historike si dhe është e vetmeja pronare, e cila trashëgon pronën e tundshme dhe të patundshme nga Bashkësitë Fetare Islame të cilat kanë vepruar në këto troje.
Kjo Kushtetutë e Bashkësisë Fetare Islame ka për qëllim të sigurojë zhvillimin e jetës fetare të muslimanëve të Republikës së Maqedonisë pa kurrfarë pengesash njëherit të kultivojë vlerat islame në jetën e përditshme dhe përkujdesje dinjitoze për kulturën shpirtërore dhe materiale të tyre.

KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1

Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë është organizatë e vetme e cila organizon jetën fetare të muslimanëve në Maqedoni dhe mërgimtarëve të përkohshëm jashtë vendit.
BFI veprimtarinë e vet e mbështet në Kur’an, në Sunnet, në
këtë Kushtetutë dhe në aktet normative që dalin nga e njëjta si dhe në Ligjin për pozitën juridike të kishës, bashkësisë fetare dhe grupit religjioz.
BFI është autonome dhe e pavarur në organizimin e jetës fetare, në
edukimin dhe arsimimin fetar, në vakëfet, veprimtarinë
administrative-financiare si dhe në veprimtaritë tjera që dalin nga
kjo Kushtetutë.
Në zbatimin e detyrave islame, në fushën e ibadeteve, BFI aplikon Shkollën juridike hanefite.

Neni 2

BFI është person juridik.

Neni 3

Selia e BFI-së është në Shkup

Neni 4

BFI ka flamurin dhe emblemën e vet.
Flamuri i BFI-së ka ngjyrën e gjelbër, gjysmëhënën e bardhë dhe yllin pesërrembësh me ngjyrë të bardhë i vendosur në mes të gjysmëhënës së hapur e kthyer nga shtiza, në formë horizontale.
Gjatësia dhe gjërësia e flamurit është në përpjestim 2:1 m.
Emblema i BFI-së është: Kur’ani i hapur në të cilin shkruan “Ikre” në orgjinal.
Mënyra e përdorimit të flamurit dhe emblemës përcaktohet me rregullore të veçantë.

Neni 5

Organet dhe institucionet e BFI-së kanë vulën dhe vulën katrore.
Teksti i vulës dhe vulës katrore shkruhet në gjuhët e pjesëtarëve të fesë Islame.
Vula ka parametrin 3,5 cm me emblemën në mes.
Vula katrore ka dimension 7×4 cm.
Teksti dhe mënyra e përdorimit të vulës dhe vulës katrore përcaktohet me akt të veçantë nga Rijaseti i BFI-së.

Neni 6

Qëllimi i BFI-së është ngritja e vetëdijes fetare, organizimi i kryerjes së ibadeteve si dhe format e tjera me të cilat shprehen ndjenjat dhe jetësimi i Islamit te muslimanët.

Neni 7

BFI qëllimet e veta i realizon përmes:

  • mësimit dhe kultivimit të vlerave islame,
  • themelimit dhe mirëmbajtjes së xhamive, mesxhideve, qendrave islame, teqeve dhe mektebeve.
  • themelimit dhe veprimit të institucioneve edukativo-arsimore,
  • themelimit dhe veprimit të institucioneve shkencoro- kulturore,
    -themelimit dhe mirëmbajtjes së bibliotekave, hanikaheve, arkivave, muzeve, instituteve dhe institucioneve të ndryshme,
  • themelimit dhe mirëmbajtjes së varrezave,
  • themelimit dhe veprimit të institucioneve bëmirëse,
  • themelimit të vakëfeve, mirëmbajtjes dhe mbrojtjes së pronës së BFI-së,
  • promovimit të së mirës dhe luftës kundër së keqes,
  • organizimit të veprimtarisë botuese,
  • kultivimit dhe bashkëpunimit tradicional me të gjitha bashkësitë islame, institucionet, asociacionet dhe organizatat e ndryshme në botë, të cilat kultivojnë vlera islame.
  • bashkëpunimit me bashkësitë tjera fetare, organizatat joqeveritare dhe organet shtetërore në vend, dhe
    -përmes çdo veprimtarie fetare, kulturore, shkencore, shëndetësore dhe socio-ekonomike për avansimin e popullatës muslimane.

Neni 8

BFI veprimtarinë e vet e mbështetë në parimet e:

  • drejtësisë
  • transparencës,
  • debateve para sjelljes së vendimeve në organet kolektive,
  • konsultave në kryerjen e punëve,
    -zgjedhjeve, emërtimeve, përgjegjësive dhe shkarkimeve të funksionarëve.

KREU II
TË DREJTAT DHE DETYRAT E ANËTARËVE TË BFI-së

Neni 9

Të gjithë anëtarët e BFI-së, me këtë Kushtetutë, janë të barabartë, pa
dallim përkatësie kombëtare, race ose gjinie, me të gjitha të drejtat
dhe detyrimet e përgjithshme, si dhe për punësim në radhët e Bashkësisë Fetare Islame.
Të drejtat e anëtarëve të BFI-së janë:

  • Shfaqja dhe praktikimi i Islamit në jetën personale, familjare dhe shoqërore.
  • Rregullimi i jetës familjare si dhe arsimimi dhe edukimi në frymën e mësimeve slame.
  • Pjesëmarrja aktive në organizimin e jetës fetare.
  • Shfrytëzimi i shërbimeve të organeve dhe institucioneve të BFI-së në kryerjen e detyrave dhe arsimimin e tyre.
  • Të shërbehen me pronën e BFI-së në përputhshmëri me aktet normative dhe rregullat e Sheriatit.
  • Të propozojnë kultivimin sa më të mirë të jetës fetare.
  • Të informohen për punën e organeve dhe të institucioneve të BFI-së.
  • Për mbrojtjen e të drejtave të tyre t’u drejtohen organeve të BFI-së.
  • Festat fetare t`i festojnë sipas rregullave të Sheriatit dhe traditave islame.

Detyrimet e anëtarëve të BFI-së janë:

  • t’u përmbahen rregullave, zakoneve dhe traditave islame në përditshmërinë e tyre,
  • t’i përmbahen Kushtetutës, akteve normative dhe vendimeve të organeve të BFI-së,
  • të japin kontributin e tyre të përgjithshëm material dhe kontribute të caktuara për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e BFI-së,
  • të paguajnë anëtarsinë e rregullt,
  • të mbrojnë dhe ruajnë pasurinë dhe pronën e BFI-së,
  • të mbrojnë vlerën, interesin, unitetin dhe autoritetin e BFI-së.

KREU III
PRONA DHE PASURIA E BFI-së

Neni 10

Pronësia e BFI-së përbëhet prej objekteve fetare dhe
objekteve të tjera si dhe pasurisë së tyre, vakëfeve, objekteve
administrative dhe fetaro-arsimore dhe të mirave të tjera.
Neni 11

Pasuria e BFI-së fitohet prej:

  • të hyrave nga vakëfet dhe pasurive të tjera të tundshme dhe të patundshme të organeve dhe isntitucioneve të BFI-së dhe prej të ardhurave që vijnë prej tyre,
  • zeqatit, sadakatul-fitrit dhe të dhënurave të tjera fetare,
  • të hyrave të rregullta dhe të dhënurave të tjera vullnetare të cilat i dedikohen BFI-së,
  • dhuratave dhe testamenteve (vasijeteve) që dhurohen,
  • fondeve të ndryshme dhe të hyrave nga ato,
  • të hyrave nga veprimtaritë e organizatave dhe institucioneve të themeluara nga BFI,
  • të hyrat nga shërbimet fetare dhe administrative dhe
  • donacionet, sponzorimet nga organizatat dhe asociacionet qeveritare dhe joqeveritare si dhe nga të dhënat e tjera.

Neni 12

Secili person fizik dhe juridik ka të drejtë të themelojë vakëf në Bashkësinë Fetare Islame.
Mënyra e themelimit dhe zyrtarizimit të vakëfit përcaktohet me Rregullore të veçantë.

Neni 13

Pasuria e BFI-së shërben ekskluzivisht për realizimin e qëllimeve të saja.

KREU IV
OBJEKTET FETARE TË BFI-së

Neni 14

Objektet fetare të BFI-së janë:

  • xhamitë
  • mesxhidet
  • qendrat islame
  • mektebet,
  • teqetë,
  • gusullhanet,
  • varrezat,
  • tyrbet.
  • sahat kullat.

Neni 15

Xhamitë-mesxhidet, qendrat islame, janë objekte fetare themelore publike ku zhvillohet jeta dhe arsimimi fetar.
Xhamitë–mesxhidet, qendrat islame shërbejnë për:
– faljen e namazeve,
– realizimin e mësimit fetar,
– mbajtjen e vazeve dhe ligjeratave,
– mbajtjen e simpoziumeve, seminareve dhe tribunave,
– mbajtjen e akademive fetare,

  • mbajtjen e mevludeve, tevhideve, kurorëzimeve sipas Sheriatit dhe të manifestimeve të tjera fetare,
  • shpërndarjen dhe prezentimin e shtypit fetar, librave, publikimeve dhe mjeteve audio vizuele për mësimin fetar,
  • kryerjen e aktiviteteve të tjera të cilat shërbejnë për ngritjen e jetës fetare.

Neni 16

Mektebet shërbejnë për arsimimin fillestar dhe të përgjithshëm fetar të muslimanëve, për shërbime të tjera fetare si dhe për ngritjen fetare dhe intelektuale të muslimanëve.

Neni 17

Teqetë shërbejnë për kryerjen e ibadeteve fetare dhe rregullave të tarikateve në përputhje me dispozitat islame.

Neni 18

Gusullhanet shërbejnë për larjen dhe përgatitjen e të vdekurëve muslimanë sipas rregullave të Sheriatit.

Neni 19

Varrezat shërbejnë për varrosjen e muslimanëve.
Varrosja dhe shenjëzimi i varrezave bëhet sipas rregullave islame.

Neni 20

Tyrbet janë objekte kulturore historike Islame të cilat kanë shërbyer për varrim.

Neni 21

Sahat Kullat janë objekte të kulturës islame dhe shërbejnë për të treguar kohën.

Neni 22

Në mungesë të objekteve fetare, ibadetet fetare mund të kryhen edhe nëpër shtëpitë e muslimanëve dhe nëpër vendet e tjera publike.

KREU V
ORGANIZIMI I BFI-së

Neni 23

BFI ka organet dhe institucionet e veta.

Neni 24

Organet e BFI-së janë:

  • Muftinia,
    – Rijaseti i BFI-së,
    – Reis ul Ulema dhe
    – Kuvendi i BFI-së.

Neni 25

Në Bashkësinë Fetare Islame e RM ka trembëdhjetë muftini, dy institucione edukativo-arsimore, agjencionin për hallall standart dhe komisonin për vakëfin studentor:

  1. Muftinia e Bashkësisë Fetare Islame – Shkup, me seli në Shkup;
  2. Muftinia e Bashkësisë Fetare Islame – Tetovë, me seli në tetovë;
  3. Muftinia e Bashkësisë Fetare Islame – Gostivar, me seli në Gostivar;
  4. Muftinia e Bashkësisë Fetare Islame – Kërçovë, me seli në Kërçovë;
  5. Muftinia e Bashkësisë Fetare Islame – Dibër, me seli në Dibër;
  6. Muftinia e Bashkësisë Fetare Islame – Strugë, me seli në Strugë;
  7. Muftinia e Bashkësisë Fetare Islame – Ohër, me seli në Ohër;
  8. Muftinia e Bashkësisë Fetare Islame – Kumanovë, me seli në Kumanovë;
  9. Muftinia e Bashkësisë Fetare Islame – Shtip, me seli në Shtip;
  10. Muftinia e Bashkësisë Fetare Islame – Veles, me seli në Veles;
  11. Muftinia e Bashkësisë Fetare Islame – Prilep, me seli në Prilep;
  12. Muftinia e Bashkësisë Fetare Islame – Manastir, me seli në Manastir;
  13. Muftinia e Bashkësisë Fetare Islame – Resen, me seli në Resen;
  14. Shkolla e meseme islame Medreseja Isa Beu, me seli në Shkup;
  15. Fakulteti i Shkencave Islame, me seli në Shkup;
  16. Agjencioni për hallall standart, me seli në Shkup;
  17. Komisioni i vakëfit studentor, me seli në Shkup.

Neni 26

Organet dhe institucionet e BFI-së mund të mbajnë séance, vetëm nëse
në to marrin pjesë shumica e antarësisë nga numri i përgjithshëm, kurse vendimet i sjellin me shumicë të votave të anëtarëve prezentë.
Vendimi është valid vetëm nëse për të ka votuar 1/3 e numrit të përgjithshëm të organit përkatës, nëse nuk përcaktohet ndryshe me këtë Kushtetutë dhe me aktet tjera normative.

Neni 27

Thirrja e përfaqësuesit të Rijasetit nëpër seancat e organeve, shoqatave dhe institucioneve të BFI-së është e obliguar.

Muftinia e BFI-së

Neni 28

Muftinia është organ themelor i Bashkësisë Fetare Islame.
Organi i Muftinisë numron prej pesë deri në pesmbëdhjetë anëtarë, varësisht nga numri i organeve ndihmëse të saj, pra xhemateve në territorin përkatës.
Numrin e anëtarëve të Muftinisë, për çdo muftini e cakton Rijaseti.
Në organin e Muftinisë më së paku 1/3 e anëtarëve duhet të jetë nga xhemati.
Organi i Muftinisë përbëhet nga Muftiu, Kryeimami dhe Sekretari sipas pozitës, 2/3 prej tyre propozohen nga Mexhlisi i xhematit, kurse 1/3 prej tyre caktohen nga Myftiu.
Të propozuarit në mënyrë proporcionale, duhet të mbulojnë territorin e Muftinisë.
Mandati i anëtarëve të zgjedhur zgjatë katër vjet.

Neni 29

Xhemati është grup besimtarësh ku organizohet jeta fetare:
në bashkësi, në vend të caktuar, në territor të caktuar dhe realizon detyrat dhe të drejtatat e veta konform kësaj Kushtetute dhe akteve të tjera normative.
Xhemati përbëhet prej të gjithë besimtarëve që kanë arritur moshën tetëmbëdhjetëvjeçare e që janë anëtarë të të njejtit xhemat.
Këshilli i xhematit është trup ndihmës i muftinisë.
Mexhlisin e xhematit e përbëjnë: nëpunësit fetar të muftinive, mutevelinjtë e xhamive dhe të punësuarit në operativën e Muftinisë.
Mexhlisi i xhematit është kuorum i gjërë konsultativ i Muftinisë.
Me mbledhjen e Mexhlisit të xhemateve udhëheq Muftiu.

Neni 30

Me Muftininë udhëheq Muftiu.
Kryeimami emërohet nga Reis ul Ulemaja me propozim të Muftinisë.
Muftiu dhe Kryeimami, duhet të jenë me arsimim sipëror islam dhe me përvojë pune së paku pesë vjet në radhët e BFI-së.
Në muftinitë ku nuk ka kuadër sipas kushteve të parapara, emërohet kordinator.

Neni 31

Muftinia kandidon kandidatë të mundshëm për mufti, Rijaseti i BFI-së bën emërtimin e muftive, kurse Reis ul Ulema verifikon emërtimin dhe u lëshon Murasele.
Mosdhënia dhe tërheqeja e Muraseles obligon Muftininë në afat prej tridhjetë ditë të propozon kandidatë të mundshëm për mufti.
Muftiu përgjigjet vetem para Reis ul Ulemasë.
Muftiu është personaliteti më i lartë në territorin e Muftinisë dhe e përfaqëson ate në territorin e vet.
Nënshkruan aktet e Muftinisë dhe i obligon nëpunësat fetarë për zbatim e tyre.

Neni 32

Muftinia:

  • zbaton vendimet e Rijasetit dhe të organeve më të larta të BFI-së,
  • kujdeset për mbarëvajtjen e punëve dhe të jetës fetare në territorin e vet,
  • siguron mjete për funksionimin e BFI-së,
  • propozon Rijasetit buxhetin dhe llogarinë përfundimtare të Muftinisë,
  • paraqet raport dhe program vjetor për punën e vet para Rijasetit të BFI-së.
  • mbikëqyr drejtpërdrejtë punën e nëpunësve fetarë në territorin e vet,
  • propozon emërimin dhe shkarkimin e nëpunësve të Muftinisë,
  • kujdeset për realizimin e detyrave ndaj organeve dhe institucioneve të BFI-së,
  • i propozon Rijasetit të BFI-së formimin e xhematit të ri dhe ndërtimin e xhamisë së re,
  • informon Mexhlisin e Xhemateve për punën e vet,
    -udhëheq me pasurinë e tundshme dhe të patundshme në
    territorin e vet sipas rregullores gjegjëse,
    -bashkëpunon me shërbimin e vakëfeve për ruajtjen,
    kultivimin dhe afarizimin e të mirave të saj,
    -propozon themelimin e institucioneve arsimore.
    Në punën e muftiniveu ndihmojnë shërbimet profesionale nga të punësuarit në BFI.
    Muftinitë formojnë komisione, këshilla dhe trupa të veta të përkohshme dhe të përhershme.

Neni 33

Muftinia mban mbledhje të rregullta më së paku një herë në muaj.

Mbledhjen e Muftinisë e konvokon Muftiu, në raste të veçanta, atë e konvokon, me kërkesë të Rijasetit të BFI-së dhe të një të tretës së anëtarëve të Muftinisë.

Neni 34

Detyrat dhe obligimet e tjera të Muftinisë, xhematit dhe Mexhlisit të xhemateve përcaktohen me rregullore të veçantë.

Rijaseti i BFI-së

Neni 35

Rijaseti i BFI-së është organ i cili vendos për çështje islamike.

Rijaseti i BFI-së përbëhet prej Reis ul Ulemasë, Sekretarit të Përgjithshëm të BFI-së, muftinjve, drejtorëve dhe dekanëve të institucioneve arsimore, kryetarëve të shoqatave të Bashkësisë Fetare Islame dhe dy anëtarëve të caktuar nga ana e Reis ul Ulemasë me përvojë në organizimin e jetës fetare në radhët e BFI-së.

Neni 36

Fushëveprimi i Rijasetit të BFI-së në vend dhe jashtë:

  • Organizimi i jetës fetare,
  • Zhvillimi i njohurive edukativo-arsimore, kulturoro-shkencore dhe informative.
  • Ndërtimi dhe mirëmbajtja e objekteve islame.
  • Strukturën organizative dhe veprimtarinë e organeve të BFI-së.
  • Bashkëpunimi me organizatat dhe institucionet islame në botë.
  • Puna juridiko-administrative dhe financiaro-ekonomike.

Rijaseti i BFI-së

Neni 37

Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame:

  • propozon, zgjedh dhe shkarkon Reis ul Ulemanë,
  • cakton numrin e muftinive dhe bën emërimin e muftive.
  • emëron Sekretarin e Përgjithshëm me propozim të Reis ul Ulemasë.
  • zgjedh anëtarë të komisionit disiplinor dhe prokurorin publik të BFI-së.
  • formon komisione dhe këshilla të përhershme dhe të përkohshme.
  • verifikon mandatet dhe shpall zgjedhjet e rregullta dhe të parakohshme.
  • kujdeset për jetën e përgjithshme fetare dhe veprimtarinë e BFI-së të mbështetur mbi parimet e Sheriatit dhe në përputhshmëri me sistemin juridik të BFI-së.
  • organizon dhe autorizon kuadrin fetar në diasporë.
  • mbikëqyr punën e organeve, enteve dhe institucioneve.
  • miraton plan-programet e institucioneve edukativo-arsimore si dhe programet dhe tekstet e mësim-besimit.
  • angazhohet për mbrojtjen e të drejtave fetare të muslimanëve.
  • themelon ente dhe institucione.
  • sjell vendim për themelimin e vakëfit.
  • sjell vendim për ndërrimin e pasurisë së vakëfit, në bazë të propozimit të organit gjegjës, nëse është në pajtueshmëri me rregullat e Sheriatit.
  • vendos për ankesat e organeve më të ulta të BFI-së.
  • i propozon Kuvendit planin vjetor financiar dhe llogarinë përfundimtare për miratim.
  • organizon grumbullimin e mjeteve nga zeqati, sadekatul-fitrit dhe të hyrave të tjera.
  • është organizator kryesor dhe i vetëm në realizimin e kryerjes së Haxhit dhe Umrës.
  • emëron, ndërron dhe shkarkon anëtarët e Rijasetit.
  • lejon rregullat e tarikateve, mbikqyrë punën e tyre dhe verifikon zgjedhjen dhe emrimin e shehlerëve.
  • lejon botimin e literaturës Islame.
  • në kushte të jashtëzakonshme kryen edhe detyra të organeve të tjera.
    Rijaseti i BFI-së mban mbledhje së paku njëherë në muaj.
    Mbledhjen e Riajsetit të BFI-së e konvokon dhe e udhëheq Reis ul Ulemaja, në raste të veçanta atë e konvokon me kërkesë të 1/3 të anëtarëve të Rijasetit.

Neni 38

Rijaseti ka shërbimet e veta profesionale.
Rijaseti formon komisione të përhershme dhe të përkohshme.

Reis-ul-Ulema

Neni 39

Reis ul Ulema është organ i BFI-së.

Reis ul Ulema është lider fetar – Kryepar i BFI-së, i cili e përfaqëson unitetin fetarë të pjesëtarëve të Islamit në vend dhe jashtë.

Neni 40

Reis ul Ulema, sipas nevojës ka të drejtë të thërrasë mbledhje me të gjitha organet, institucionet, organizatat dhe shoqatat e BFI-së.

Neni 41

Për funkcionin Reis ul Ulema, mund të propozohen dhe të zgjedhen personat të cilët kanë të kryer fakultete islame, që kanë përvojë pune të suksesshme dhjetëvjeçare në radhët e BFI-së dhe kanë moshë mbi dyzetvjeçare.

Neni 42

Zgjedhja e Reis ul Ulemasë bëhet konform Rregullorës mbi zgjedhje të Reis ul Ulemasë.

Neni 43

Rijaseti i BFI-së zgjedh Këshill të posaçëm për dorëzimin e Menshurës.

Neni 44

Reisul -Ulema:

  • përfaqëson Bashkësinë Fetare Islame në vend dhe jashtë;
  • jep murasele (autorizim) për kryerjen e punëve fetare, pa të cilën tërheq kontest të legjitimitetit;
  • emëron dekanët, drejtorët dhe mësimdhënësit të institucioneve arsimore të BFI-së dhe mësimdhënësit e lëndës së mësim-besimit në shkollat publike.
  • organizon dhe mbikëqyr punën e shërbimeve profesionale të BFI-së.
  • konvokon dhe udhëheq seancat e Rijasetit dhe kujdeset për zbatimin e vendimeve të tij;
  • ndërmjet dy mbledhjeve të Rijasetit, kryen punë të domosdoshme që janë në kompetencë të Rijasetit dhe për këtë informon Rijasetin në seancën e radhës.
  • nënshkruan aktet e Rijasetit;
  • nënshkruan aktet për punësim në BFI;
  • ndan shpërblime për të arritura të veçanta në avansimin e jetës fetare;
  • viziton regjionet në të cilët jetojnë pjesëtarët e fesë islame; që të njihet drejtpërdrejtë me gjendjen dhe propozon masa për zhvillimin dhe avansimin e jetës fetare;
  • lejon pushimet e muftive, dekanëve, drejtorëve të medreseve, drejtorëve dhe kryetarëve të institucioneve, shoqatave të cilat janë në mbikqyrje të Rijasetit;
  • ka të drejtë të pengojë ekzekutimin e vendimeve të organeve dhe të institucioneve të BFI nëse konstaton se të njejtat janë kundërshtim me ligjin dhe parimet islame dhe të njëjtat t’i kthejë në rishqyrtim, kurse vendimin përfundimtar e sjell Rijaseti i BFI-së.
  • dekreton vendimet e marrura nga Rijaseti i BFI-së.

Kuvendi i BFI-së

Neni 45

Kuvendi i Bashkësisië Fetare Islame është organ më i lartë juridiko-finansiar.

Neni 46

Kuvendin e BFI-së e përbëjnë njëzet e shtatë anëtarë:

  • nga Shkupi pesë,
  • nga Tetova katër,
  • nga Gostivari tre,
  • nga Kumanova dy,
  • nga Kërçëva dy,
  • nga Dibra dy,
  • nga Struga dy,
  • nga Shtipi dy,
  • nga Manastiri një,
  • ngaVelesi një,
  • nga Ohri një,
  • nga Prilepi një dhe
  • nga Resnja një

Neni 47

Të deleguarit për anëtarë të Kuvendit të BFI-së nga ana e organit të Muftinisë bëhet përmes sistemit një plus një sipas rregullores së veçantë për Kuvendin.

Neni 48

Anëtarët e Kuvendit të BFI-së me 2/3 duhet të jen me arsimim sipëror nga profilet juridiko-administrativo-ekonomik

Neni 49

Kuvendi i BFI-së:
Në mbledhje të përbashkët me Rijasetin e BFI-së miraton Kushtetutën e BFI-së, ndryshimet dhe plotësimin e saj.

  • miraton plan-programin vjetor dhe raportin e punës së Rijasetit të BFI-së.
  • miraton planin financiar dhe llogarinë përfundimtare të Rijasetit të BFI-së,
  • verifikon miratimin e planeve financiare dhe të llogarive përfundimtare të muftinive të BFI-së.
  • miraton rregulloren për punë të Kuvendit të BFI-së si dhe akte të tjera normative të BFI-së.

Neni 50

Kuvendi i BFI-së punon në seanca.
Seancat e Kuvendit të BFI-së mbahet më së paku një herë në vit.
Në mbledhjen e parë konstituive Kuvendi zgjedh kryetarin dhe nënkryetarin e vet.
Me seancat e Kuvendit të BFI-së udhëheq Kryetari i Kuvendit të BFI-së.
Kryetari i Kuvendit është i detyruar të konvokojë seancë të Kuvendit të BFI-së me kërkesë të Reis ul Ulemasë, Rijasetit të BFI-së dhe me kërkesës të 1/3 së anëtarëve të Kuvendit të BFI-së.

Neni 51

Mandati i Kuvendit të BFI-së zgjat katër vjet.

KREU I VI
ENTET DHE INSTITUCIONET E BFI-së

Neni 52

Institucionet e BFI-së janë:

  • Drejtoria e vakëfeve,
  • Shkollat e mesme – medresetë,
  • Fakultetet islame,
  • Qendra shkencore-kërkimore,
  • Institutet islame,
  • Bibliotekat,
  • Muzeumet,
  • Arkivet, hanet dhe hamamet,
  • Qendra informative – botuese,
  • Ndërmarrjet tregtare, prodhuese shërbyes dhe financiare,
  • Organizata bëmirëse
  • Oraganizatat shëndetsore,
  • Shoqata profesionale,
  • Çerdhe të llojeve të ndryshme.
    Institucionet e BFI-së kanë organet e veta drejtuese.

Neni 53

Në BFI kryhen veprimtari edukativo-fetare, arsimoro-shkencore, kulturore, socio-humanitare dhe ekonomiko-financiare.
Ruhet thesari kulturor përmes medreseve, fakulteteve islame, institutive islame, qendrave kërkimoro-shkencore, botuese, bibliotekatave, arkivave, muzeumeve, etj.

Neni 54

Puna dhe veprimtaria e organeve, institucioneve dhe shoqatave të BFI-së përcaktohet me statut ose rregullore të punës së tyre.

Neni 55

Tarikatët: Halvetie, Melamie, Kaderie, Nakshibendie, Bektashie, Rufaie, etj., mësimi dhe praktika e të cilave është në pajtim me dispozitat e Sheriatit, organizohen sipas rregullave të tarikateve në suaza të BFI dhe në mbikëqyrjen e Rijasetit të BFI.
Teqetë dhe pasuria e tyre janë pronësi e BFI.

KREU I VII
NËPUNËSIT E BFI-së

Neni 56

Punët fetare, fetaro-arsimore, adminstrativo-financiare në BFI-së i kryejnë personat e zgjedhur, të emëruar dhe të punësuarë.
Të zgjedhurit, të emëruarit dhe të punësuarit në BFI janë të barabartë me të gjitha të drejtat dhe obligimet.
Të zgjedhurit, të emëruarit dhe të punësuarit në BFI posedojnë legjitimacion nga ana e Rijasetit të BFI-së. Përdorimi i legjitimacionit bëhet konform Rregullores së veçantë.
Të zgjedhurit, të emëruarit dhe të punësuarit në BFI-së në sistemin e unifikuar financiar trajtohen të barabartë me të gjitha të drejtat dhe obligimet sipas rregullorës së sistematizimit.

Neni 57

Për ngritjen profesionale dhe mbrojtjen e të drejtave, të punësuarit e BFI-së themelojnë shoqatë të tyre.

Neni 58

Të zgjedhurit, të emruarit dhe të punësuarit në BFI-së, duke u nisur nga Reis ul Ulemaja e deri te muezini, mund të revokohen dhe të shkarkohen nëse nga organet dhe institucionet e BFI-së konstatohet se:

  • nuk i kryen obligimet për të cilat është zgjedhur, emëruar.
  • qëndrimi dhe puna e tij është në kundërshtim me normat islame dhe aktet normative të BFI,
  • punon kundër dispozitave dhe vendimeve të organeve kompetente të BFI,
  • keqpërdor pozitën në dëm të interasave të BFI-së,
  • pa sukses i kryen punët dhe obligimet e tij,
  • paaftësia për kryerjen e punës së vet, sëmundja, mosha, vdekja ose vet dëshira e largimit,
  • në rast se burgoset mbi gjashtë muaj,
  • përgjegjësia disiplinore dhe materiale përcaktohet me rregullore të veçantë,
    -vlerësimi përfundimtar për revokim dhe shkarkim e bën Rijaseti i BFI-së.

KREU I VIII
SISITEMI ZGJEDHOR

Neni 59

Pjesëtarët e Islamit, të cilët kanë mbushur moshën tetëmbëdhjetëvjeçare kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjedhen në organet, institucionet dhe shoqatat e BFI-së.

Neni 60

Zgjedhjet bëhen me vota të fshehta ose të hapura, varësisht nga përcaktimi i organit që ka të drejtë zgjedhje.

Neni 61

Zgjedhjet e organeve kolektive në BFI zbatohen përmes komisioneve rajonale dhe Komisionit qendror pran Rijasetit.
Komisionet rajonale obligohen që në afat të paraparë me rregulloren e veçantë të zgjedhjeve të njoftojnë Muftinitë për rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, ndërsa muftinitë të njëjtat ia përcjellin komisionit qendror për verifikim.

Neni 62

Reis ul Ulemaja përgjigjet para Rijasetit të BFI-së.

Neni 63

Funksionarët e BFI-së, të zgjedhurit, të emëruarit përgjigjen para Reis ul Ulemasë.

Neni 64

Secili funksionar i BFI-së ka të drejtë të jep dorëheqje, dhe për të njëjtën vendos Rijaseti i BFI-së.

Neni 65

Funksonarët e emëruar japin betimin solemn para Reis ul Ulemasë, kurse Reisul Ulema betimin solemn e jep publikisht.

KREU I IX
MIRATIMI DHE NDRYSHIMI I KUSHTETUTËS

Neni 66

Kushtetuta e BFI-së mund të ndryshohet përmes amendamenteve.

Neni 67

Propozim për ndryshimin e Kushtetutës mund të jep Rijaseti i BFI-së dhe, më së paku tri Muftini.
Vendimin për ndryshimin e Kushtetutës e sjellë Rijaseti i BFI-së.
Në rast të refuzimit të propozimit, iniciativa e re, për të njejtën çështje, mund të ngritët pas një viti.

Neni 68

Projektin mbi ndryshimet kushtetuese e harton Komisioni kushtetues i emëruar nga Rijaseti i BFI-së.
Ndryshimet kushtetuese miratohen me dy të tretat e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Rijasetit të BFI-së dhe të Kuvendit të BFI-së.

KREU X
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 69

Shpjegime dhe interpretime autentike të dispozitave të kësaj Kushtetute jep Rijaseti i BFI-së.

Neni 70

Me miratimin e kushtetutës në afat mbrenda një viti të gjitha aktet normative të harmonizohen me këtë Kushtetutë.

Neni 71

Kjo Kushtetutë hynë në fuqi tetë ditë pas miratimit të saj.


Rijaseti i BFI-së
Reis ul Ulema
H.Sulejman ef. Rexhepi